Përfundon numërimi mbrapsht për ish-krerët e UÇK-së
Ka përfunduar numërimi mbrapsht për ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi, ndërsa në Hagë pritet të nisë shpallja e aktgjykimit ndaj tyre.
Pas gati gjashtë vitesh nga arrestimi dhe transferimi i tyre në Hagë, katër ish-krerët e UÇK-së përballen me momentin vendimtar të procesit gjyqësor që nisi në prill të vitit 2023.
Në Prishtinë, qytetarë janë mbledhur në shesh në kuadër të “Orës së Pritjes”, duke përcjellë nga afër momentin kur Gjykata Speciale do të shpallë vendimin.
Pritja në Kosovë ka marrë një dimension të veçantë, me flamuj të Kosovës dhe të UÇK-së, fotografi të Thaçit, Veselit, Selimit e Krasniqit dhe mesazhe në mbështetje të tyre.
Në Hagë, trupi gjykues pritet të lexojë aktgjykimin ndaj katër të akuzuarve, të cilët përballen me akuza për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.
Procesi ndaj tyre ka zgjatur më shumë se tri vjet në sallën e gjyqit, ndërsa gjatë tij janë dëgjuar 134 dëshmitarë dhe janë shqyrtuar një numër i madh provash.
Tash, pas përfundimit të numërimit mbrapsht, mbetet vetëm vendimi i gjykatës për Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Rexhep Selimin dhe Jakup Krasniqin.